Arsimi është një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi. Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shkon përpara shoqëria.
Arsimi është edhe një nga fushat që jo vetëm i prin shoqërisë, por edhe ndikohet fuqishëm prej saj dhe ndryshimeve shoqërore. Fakti që sistemet e arsimimit janë në ndryshim të përhershëm, nuk tregon paqendrushmëri, përkundrazi, ato shërbejnë për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimit të shoqërisë.
Ashtu siç ka ndodhur edhe në sistemin tonë shkollor, ndryshimet e shpeshta të bëra këto 20 vitet e fundit, kanë treguar se arsimi është munduar të përshtatet sa të mundë me ndryshimet sociale në vendin tonë, por edhe me ato globale. Këto ndryshime duke mos qenë shumë të studiuara dhe duke qenë se bëheshin në një terren shumë pak të favorshëm nga gjendjes në të cilën sistemi ynë arsimor vinte dhe nga një politizim i tejskajshëm, jo gjithmonë kanë dhënë frytet e duhura dhe janë përceptuar shpesh nga ne si eksperimente.
Eksperimentimi në arsim nuk është diçka e keqe, por kur ky eksperimentim kalon caqet hapësinorë dhe kohorë, atëhere ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht.
Reformat e fundit në arsim dhe debatet që i kanë shoqëruar atë dëshmojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të shoqërisë për problemet e arsimit dhe shkollës. Këto probleme duket se i përkasin gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një pjese të saj. Reformimi i arsimit tashmë ka prekur të gjithë sistemin arsimor dhe duket se po kulmon me ligjin për arsimin e lartë. Duke qenë se intensiteti i reformave ka qenë i madh dhe koha e kryerjes së tyre, relativisht e shkurtër, janë vënë re dhe po dalin në pah shumë problematika. Është e kuptueshme që vetëm me një reformim të tillë problemet nuk mund të zgjidheshin përnjëherë. Kështu dolën në pah problematikat të cilat në disa raste, nëse nuk trajtohen me seriozitetin e duhur mund të lënë pasoja të rënda në arsimimin e brezave.
Reforma në arsim ka përfshirë legjislacionin, kurrikulat, infrastrukturën, por për fat të keq ende nuk ka një reformë ose ende nuk është vënë në zbatim një reformim i burimeve njerëzore, d.m.th., i kuadrit dhe emërimeve në arsim.
Përsa i përket reformës së kurrikulës, mendoj se janë bërë përparime të dukshme që e sjellin arsimin shqiptar pranë standardeve të vendeve të tjera. Edhe pse duket sikur në shkollë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, kurrikula e re dhe reformimi tërësor i sistemit parauniversitar ka bërë një revolucion në fushën e arsimit tek ne. Ky reformim nuk duhet parë i ndarë, d.m.th, i copëzuar dhe i rastësishëm, pasi nëse e shohim kështu nuk do të arrijmë të perceptojmë gjithë ndryshimin që është kryer. Duke filluar me sistemin 9-vjeçar, gjimnazin e ri, altertekstin, Maturëm Shtetërore, etj.
Reformat e kryera shpeshherë edhe me ngut e kanë gjetur të papërgatitur mësuesin për të përballuar gjithë këto ndryshime. Nëse synimi dhe arritja kryesore e kurrikulës së re dhe reformës ka qenë ndryshimi i konceptimit në arsim, pra vënia në qendër e nxënësit, kjo jo nga të gjithë mësuesit është kuptuar, ose është kuptuar në mënyrë sipërfaqësore. Të vendosësh nxënësin në qendër të mësimit nuk do të thotë të mjaftohesh duke përdorur disa teknika mësimdhënieje që në literaturën pedagogjike njihen si “teknika të të mësuarit me në qendër nxënësi”, por duhet të ndryshohet mendësia e mësimdhënies, duhet ndryshuar këndvështrimi. Mësimi dhe shkolla duhet t’i shërbejë nxënësit dhe nëse kjo nuk arrihet misioni mund të quhet i parealizuar, për të mos thënë i dështuar. Ende sot, ka mësues që e shohin nxënësin si objekt dhe jo si subjekt. Harrojnë se tek çdo individ ka një veçori të cilën sistemi arsimor dhe veçanërisht mësuesi duhet ta vërë në dukje. Tek nxënësit shohin problemin dhe jo zgjidhjen; nxënësit i vënë në dukje dobësitë, por jo arritjet. Ky këndvështrim, edhe pse nuk është keqdashës bëhet shkak për krijimin e situatave të pakëndshme në mësim.
Këtu fillon konflikti i vërtetë mësues-nxënës. Dhe gjithçka fokusohet tek nota. Vlerësimi bëhet kështu nga një mjet nxitës, pasqyrues i rezultateve, një mjet presioni psikologjik dhe burim konflikti. Shkolla nga një vend miqësor kthehet në makthin e shumë nxënësve dhe të rinjve, të cilët, në vend që të marrin në të edukimin se si duhet të formojnë sjelljen e tyre në jetë, në shoqëri dhe më gjerë, marrin mësimet e para se si t’ia hedhin sa më lehtë. Ndikimi i shoqërisë dhe presioni i madh që bën shoqëria jonë për të nxitur arritjen e rezultateve ka bërë efektin e kundërt, duke mos rritur dëshirën dhe interesin për të mësuar, por për të pasur një diplomë. Pra gjithçka është kthyer në kërkesën për një diplomë dhe jo dije. Reforma e MSH (Maturës Shtetërore), e cila me konceptimin e saj shumë bashkëkohor synoi të vinte në barazpeshë vlerat e secilit, u kthye në të kundërtën e saj si rezultat i një “pakujdesie “ të vogël. Keqadministrimit. Dëshira për të qenë “humanë” aty ku duhet seriozitet, bëri që administratorë të papërgjegjshëm dhe mësues shumë “zemërgjerë”, të shkatërrojnë vit pas viti këtë sistem duke arritur që edhe nga vetë institucioni i MASH të deklarohet se në MSH kopjohet. Kjo duket si diçka shumë e parëndësishme, por në thelb ajo dëmton rëndë imazhin e sistemit arsimor dhe vlerat që duhet të përçojë ai. Nëse kjo reformë po shfaq problematikën e saj, kjo nuk do të thotë se duhet të kthehemi pas, por të shohim shkaqet e problemeve dhe të gjejmë rrugëzgjidhje më të mira.
Problematika më e bujshme dhe më shqetësuese, sa herë që fillonte viti shkollor kishte të bënte me tekstet. Mungesa e tyre, shitja në mënyrë të paligjshme, cilësia e dobët, sasia e pamjaftueshme dhe mbi të gjitha përmbajtja e tyre dhe ngarkesa e madhe me mangësi në aparatin pedagogjik, u kthyen në një problem tjetër që shoqëroi shkollën gjatë viteve të tranzicionit. Reforma e Altertekstit në arsimin parauniversitar zgjidhi shumë prej problemeve të ngritura. Nuk mund të pretendohet se cilësia dhe niveli shkencor apo pedagogjik i tyre arriti standardet më të larta, por kjo reformë e futi arsimin në një rrugë të mbarë dhe ndikoi shumë në ndryshimin e perceptimit të tekstit, jo si mjeti më i rëndësishëm i mësimdhënies, por si një mjet i nevojshëm për nxënësin. Ajo që duket se mbetet e parealizuar në këtë reformë, ka të bëjë me mësuesin. Për sa kohë do të ketë mësues që për probleme të ndryshme apo paqartësi apo edhe gabime shkencore do të shfajësohen se “kështu e ka teksti”, mund të thuhet me bindje se reforma nuk është kuptuar si dhe sa duhet. Problematika e re që shfaq reforma e altertekstit ka të bëjë me tekstet e përkthyera, të cilat vërtet u përkasin shkencave natyrore dhe si të tilla sigurisht që mund të jenë më të mira në cilësi dhe përmbajtje se tekstet që mund të përgatiten nga specialistët shqiptarë, por nuk duhet harruar tradita e vendit nga vijnë këto tekste dhe mbi të gjitha, përkthimi problematik, që shpesh është edhe qesharak dhe amatorial. Shtëpitë botuese nga dëshira për të qenë sa më konkuruese në treg harrojnë se nuk kanë të bëjnë me një produkt konsumi, por me një material të rëndësishëm për formimin e brezave. Ajo që mund të dëmtojë seriozisht këtë reformë dhe rrjedhimisht edhe sistemin arsimor, ka të bëjë me interesat klienteliste të shtëpive botuese dhe autorëve të teksteve. Për miratimin e teksteve është mirë të zbatohet një procedurë më e hapur dhe transparente, duke përfshirë më shumë mësuesit si zbatues dhe njohës më të mirë të programeve dhe problematikave shkollore. Kështu mund të shmanget çdo ndikim nga jashtë dhe monopolizim i dëmshëm.
Një reformë nuk mund të kuptohet pa burimet njerëzore që i japin asaj vlerën e vërtetë. Mësuesi është aktori kryesor dhe faktori ë i rëndësishëm që u jep jetë politikave dhe materializon reformat. Por çfarë është bërë për mësuesin në këto 20 vjetët e fundit?
Kjo pyetje do të merrte shumë përgjigje dhe do të lakohej shumë nëse do të futeshim në kalendat e politikës, por për hir të së vërtetës, duhet thënë se për mësuesin nuk është bërë aq sa duhet. Në këto 20 vjet tranzicion vihet re se profesioni i mësuesit, që dikur ka qenë shumë i kërkuar dhe shumë i vlerësuar, tashmë është në fund të preferencave të të rinjve. Mjafton t’i hedhësh një sy librit të transparencës dhe kupton se sa pak kërkohet ky profesion madje edhe kur kërkohet, fatkeqësisht jo prej nxënësve shumë të mirë. Faktori kryesor që ndikon, kuptohet që ka të bëjë me pagën. Në ekonominë e tregut dhe të konkurencës së lirë është e natyrshme që çdokush do të kërkojë më të mirën dhe dihet që profesioni i mësuesit nuk është nga më të paguarit, por braktisja e këtij profesioni në këtë masë nuk flet vetëm për anën e pagesës. Mësuesi është lënë në harresë nga shoqëria. Të gjithë kujtohen për të ditën e 7 marsit ose kur duan ta kritikojnë për “kurset” që edhe pse janë një dukuri e shëmtuar e arsimit, nuk janë maja e korrupsionit. Mësuesi me dashje ose pa dashje është bërë preja e fushatave elektorale. Duke qenë se arsimi është ndër sektorët shtetërorë të punësimit, politika e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të krijuar përfitime elektorale. Ndikimi i saj ka bërë që edhe një mësues i thjeshtë të mos e ndiejë veten të qetë kur çdo shtator i duhet të presë me ankth emërimet, lëvizjet, largimet apo problematikën që del nga fillimi i vitit shkollor. Mësuesi është ndoshta i vetmi profesion që ende vlerësohet si në komunizëm. Të gjithë të barabartë, dhe të gjithë të paguar njëlloj. Atëherë përse duhet një mësues të përpiqet për të ngritur anën e tij profesionale? Vetëm për kënaqësi, kur për punë dhe mund të ndryshëm, lodhje dhe përgjegjësi jo të barartë të gjithë mësuesit paguhen njëlloj, sipas një skeme që duket absurde. Skemë që ka funksionuar vetëm në socializëm për kategorizimin e mësuesve sipas vjetërsisë, kur dihet se të jesh më i vjetër në një punë nuk do të thote se je më i mirë. Kjo ka bërë që të gjitha reformat, ndryshimet, zhvillimet në arsim të përcillen me indiferentizën nga një pjesë e mësuesve, pasi për ta mjafton të kenë një diplomë, një mik, një njohje e kështu me rradhë dhe pozicioni si dhe paga nuk ndyshojnë. Ky është një faktor që sot profesionin e mësuesit e kërkojnë nxënës jo shumë cilësorë, sepse e dinë që me të mbaruar shkollën do të gjendet një vend ku të rrinë rehat për gati 40 vjet të tjerë. Kjo praktikë duhet ndalur, sepse po krijon probleme serioze në arsim. Mësuesi si çdo profesionist duhet motivuar të rritë profesionalizmin e tij, por nga ana tjetër duhet vlerësuar dhe i duhet dhënë një status i cili të mos shkelet lehtë nga erërat e ndryshimeve politike.
Një tjetër aspekt që lidhet me përgatitjen e mësuesve ka të bëjë me të rinjtë dhe studentët të cilët e zgjedhin këtë profesion. Universitetet dhe shkollat duhet të krijojnë ura bashkëpunimi për t’u dhënë këtyre të rinjve aftësitë dhe shprehitë e nevojshme, pasi njohuritë dhe dijet i marrin gjatë studimit. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të kalosh nga teoria që merret në shkolla në praktikën konkrete, në terren. Për këtë duhen praktika, të cilat nuk mungojnë në programet e studimit të universiteteve për degët e mësuesisë, por realizimi i tyre dhe organizimi kanë vend për përmirësim. Studentët nuk mund të marrin në shkollë gjithë njohuritë që u duhen për të qenë profesionistë të mirë, aq më tepër kur pjesa më e madhe e pedagogëve janë të shkëputur nga sistemi parauniversitar, por pranë shkollave ata mund të mësojnë më shumë për atë që u duhet. Kjo arrihet duke ia besuar këtë detyrë një mësuesi specialist dhe jo rastësisë, siç ndodh rëndom. Për këtë duhet menduar si nga universiteti edhe nga Drejtoritë arsimore, për të krijuar mentorë dhe mësues cilësorë në praktika, të cilët sigurisht duhen vlerësuar. Praktikë e mirë dhe shumë e vlefshme do të ishte edhe punësimi me kohë të pjesshme pranë shkollave të studentëve të sapodiplomuar për të fituar aftësitë dhe shprehitë e punës, por duke e konsideruar këtë si periudhë praktike aktive që mund të bëhet pa pagesë ose me fonde të tjera.
Duke u ndalur tek zhvillimet e arsimit, nuk mund të mos përmendësh infrastrukturën dhe mjediset shkollore që në këto vite ka ndryshuar shumë. Sot një pjesë e mirë e shkollave të qyteteve të mëdha dhe qendrave të rëndësishme urbane kanë një infrastrukturë bashkëkohore. Është e vërtetë që numri i nxënësve në klasë ka një shprërndarje jo uniforme, por kjo është pasojë e lëvizjeve demografike të mëdha dhe ndryshimeve që po pëson struktura e popullsisë. Problematika në infrastrukturë dhe mjediset shkollore shfaqet tek menaxhimi i tyre.
Sot një drejtues shkolle apo drejtoria e saj pothuajse nuk kanë asnjë kompetencë për sa i përket administrimit të mjediseve shkollore. Një drejtor shkolle nuk mund menaxhojë dot mjedise shkollore sipas interesave të shkollës dhe komunitetit, sepse në radhë të parë shkolla nuk ka asnjë buxhet dhe nuk ka asnjë ligj që rregullon këto marrëdhënie. Kështu edhe nëse një drejtues do të bëjë përpjekje për të përmirësuar gjendjen në shkollën e tij, këto më shumë do të realizohen si favore për hatër të drejtorit sesa si punë dhe ndihmë për shkollën. Që drejtori të mos jetë më kryemësues, por menaxher i shkollës i duhet dhënë atij roli që i takon edhe ligjërisht, por edhe përgjegjësia dhe kompetenca.
Këto janë disa nga mendimet e mia rreth reformimit të sistemit arsimor në vija të përgjithshme, të para në këndvështrimin e problematikave që janë të mundshme të zgjidhen pa pasur një kosto të lartë dhe pa dhënë efekte të padëshirueshme. Për zgjidhjen e tyre mjafton vetëm pak dëshirë dhe respektim të ligjshmërisë dhe praktikave. Për këtë duhet një njohje dhe përhapje më e gjerë e informaconit të ri që aktorët e këtyre ndryshimeve të dinë se si dhe ku ta gjejnë veten në këtë sistem që është në reformim të vazhdueshëm.

This post was submitted by Nikolin Germenji.