Status Quo

Kur isha në fillore (e deri në fund të shkollës së mesme) drejtori i shkollës ishte “edhe ligj edhe maliq”. Vullneti i tij ishte ligj dhe ligji sigurisht që zbatohej ose nuk zbatohej në varësi të vullnetit të tij.Në atë kohë, duke mos njohur një realitet të dytë, mendoja se kështu ishte e thënë, se kështu (si të thuash) e kish shkruar Perëndia. Ndodhte shpesh që të xhindosesha me Perëndinë dhe përgjithësisht kam patur vlerësim shumë të ulët për aftësitë e tij organizative.

Me kalimin e viteve fillova të kuptoj se ka edhe realitete të tjera të administrimit të shkollës gjetkë në Perëndim të cilat jo se janë bekuar nga ekzistenca e ndonjë perëndie më zemërpulë, por se kanë një administrim më të mirë dhe një qeverisje më demokratike. E meqë ra fjala tek qeverisja, më pëlqen që mes termave administrim dhe qeverisje, përsa i përket shkollës, të zgjedh këtë të dytin, sepse sendet administrohen, ndërsa njerëzit qeverisen (dhe do të më pëlqente që njerëzit të trajtohen si njerëz). Fatkeqësisht nuk ndodh rrallë që të ndeshësh mendësi administruese në shkollat tona. E nga ana tjetër sistemi i centralizuar i vendimmarrjes së arsimit është gjithashtu (në mos një problem) një burim problemi. Në një kohë që arsimi ynë duhet të shkojë drejt një sistemi të decentralizuar dhe të një qeverisjeje demokratike të shkollës, të dyja këto çështje kanë marrë zgjidhje…por kjo vetëm në letër. Strategjia e arsimit parauniversitar është një dokument bashkëkohor dhe i mbështetur në ekspertizë të kualifikuar , por ndryshe nga një poster që mund të ngjitet kollaj mbi një shtyllë apo mur, ky dokument merr vlerë kur fryma e tij bëhet pjesë e realitetit arsimor.

Nuk mund ta mohoj se eksperienca ime me këtë dokument, i përngjan eksperiencës së fëmijës me përrallat. Kur i lexon nëpër libra me ilustrime shumëngjyrëshe duken mrekullisht të bukura dhe frymëzuese, ndërsa vuajtja nis sapo përballesh me realitetin, i cili është “ku e ku” larg asaj që (për)shkruhet në letër.Në strategji përshembull parashikohen Bordet e shkollave, të përbëra nga prindër, nxënës, përfaqësues të pushtetit vendor dhe mësues, të cilët duhet të marrin përsipër (gradualisht) administrimin e shkollës, madje deri edhe përzgjedhjen e drejtorit . Por në realitet ato shkolla që kanë një bord janë me fat, dhe madje edhe në këto shkolla qëllon tek tuk ndonjë prind egocentrik që do të marrë më tepër nga sa i takon, e kështu lind konflikti i cili nuk të çon kurrkund. Nga ana tjetër, disa drejtorë më të rregjur me këto gjëra (dhe drejtorë të rregjur gjen kudo) e zgjedhin vetë bordin, duke nisur nga prindërit e “preferuar” dhe mbi të gjitha duke e përdorur zgjedhjen në bord si një nder dykahësh, që duhet kthyer në kohën e duhur. Për të mos folur këtu për problemet e qeverisjes (së presupozuar) demokratike të shkollave, gjë e cila kërkon një libër më vete, mbase dhe dy…

Qvo Vadis?

Për këdo që ka në kokë pyetjen fillestare: përse na duhet decentralizimi dhe qeverisja demokratike e shkollave? Unë do t’i rrjeshtoja disa arsye , por le t’i marrim ato me rradhë.

Në radhë të parë decentralizimi (dhe për pasojë funksionimi i bordeve të shkollave) do të rrisin përgjegjësisë në administrimin e shkollës, duke reduktuar abuzimin dhe korrupsionin. Aktualisht vendimmarrja është e centralizuar tek një njeri i vetëm, në rastin tonë drejtori i shkollës i cili përballet pashmangshmërisht me një shkallë të lartë presioni. Një situatë e tillë rrit mundësinë e abuzimit dhe korrupsionit. Psh nëse një mësues është i përkëdheluri i drejtorit atij nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë sido që të veprojë në shkollë. E kundërta ndodh me një mësues i cili nuk zbaton vullnetin e drejtorit. Le të supozojmë se në një shkollë vullneti i drejtorit të shkollës bie në kundërshtim me ligjin, cilin do të ndiqnin mësuesit: Drejtorin apo ligjin? Në situatën aktuale ka më shumë gjasë që mësuesit (jo vetëm për shkak se nuk e njohin ligjin) të ndjekin urdhrin e drejtorit duke mbrojtur abuzimin dhe korrupsionin, e madje edhe duke u bërë pjesë e tij. Nëse vendimmarrja do t’i kalojë një organi kolegjial, në rastin tonë Bordit të shkollës nuk mund të themi se abuzimi do të zhdukej krejtësisht por jam i bindur se të paktën do të reduktohej ndjeshëm. E para sepse është më e vështirë që abuzimi të jetë vullnet i një grupi të madh njerëzish dhe e dyta, duke qenë se bordet përbëhen edhe nga prindër, është e vështirë që ata të bëhen mbrojtës të një abuzimi koston e të cilit do ta paguajnë vetë ata dhe fëmijët e tyre.

Një element gjithashtu i rëndësishëm i decentralizimit të pushtetit është reduktimi i mundësisë për përdorim politik të shkollave. Aktualisht me një hierarki vertikale të kryesuar nga ekzekutivi, në këto 20 vite kemi parë shumë raste kur mësues dhe nxënës janë përdorur për qëllime apo shpërblime politike. Një prej arsyeve të kësaj situate është fakti se në një pushtet vertikal ajo që vendoset në qendër (nga nëpunësit politik) është urdhër për vartësin në periferi (në të kundërt ai humbet vendin e punës). Ndërsa decentralizimi i pushtetit do ta minimizonte ndjeshëm këtë dukuri.

Decentralizimi dhe qeverisja demokratike gjithashtu do të rriste konkurencën pozitive mes shkollave. Në kushtet aktuale një prind i pakënaqur nga shkolla e fëmijës së tij, shumë shumë mund ta dërgojë atë në një shkollë “më të mirë”, ndërsa në sistemin për të cilin po advokoj ai mund të ndikojë aktivisht në përmirësimin e shkollës së fëmijës së tij, duke u bërë pjesë e vendimmarrjes.

Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, është çështja e vëmendjes. Një strukturë e centralizuar e fokuson vëmendjen tek shkollat më pranë qendrës a thua se fëmijët që jetojnë në periferi nuk kanë të njëjtat nevoja. Në këto rrethana përforcohet prirja që shpërndarja e burimeve financiare dhe njerëzore brenda sektorit të arsimit të ndjekë një formulë qëndërzuese e cila nuk gërsheton siç duhet kriterin e nevojës me atë të meritës gjë që rrezikon seriozisht mundësinë e barabartë për të gjithë qytetarët shqiptar për të përfituar nga një shërbim arsimor cilësor. I tërë ky sistem e bën krejt të pamundur mobilitetin social, duke bërë që fëmijë të lindur në një familje dhe zona të varfëra, të mos i jepet asnjë shans që të ketë një jetë më të mirë. Ky problem mendohet që do tëreduktohej ndjeshëm me decentralizimin e shkollave, pasi prindërit që jetojnë në Vermosh i duan fëmijët e tyre po aq sa prindërit që jetojnë në Tiranë, kështuqë ata nuk do të toleronin një keqadministrim të shkollës së tyre pavarësisht se ku ndodhet ajo. Gjithashtu një zhvillim i tillë do kishte një ndikim shumë të mirë edhe tek nxënësit e tek disiplina shkollore. Megjithëse mund të tingullojë e çuditshme, përvoja dhe studimet kanë treguar se nxënësit ndaj të cilëve kushtohet më tepër vëmendje, bëhen më të përgjegjshëm. Madje shumë më tepër se në rastet kur (në mungesë kohe për t’u marrë me ta) të vetmet mjete bindëse që përdoren janë dhuna dhe presioni.

In loco parentis

Antropologjia jonë popullore na bën që çdo gjë ta presim nga shteti, ashtu si ata fëmijët e vegjël që nuk janë gati të marrin përgjegjësi. Por unë mendoj se është momenti që përveç se të konstatojmë, të angazhohemi për të bërë diçka, të marrim përsipër përgjegjësi. Një prind përshembull mund të angazhohet për t’u bërë pjesë e bordeve të shkollave. Mësuesit dhe nxënësit nga ana tjetër mund të bëjnë shumë më tepër: ata mund të kërkojnë një bord më pranë nevojave të shkollës; të monitorojnë procesin e ngritjes së bordit (përzgjedhjes) si dhe funksionimin e tij; mund të ushtrojnë presion ndaj anëtarëve të bordeve të shkolla për qenë më aktiv. Nxënësit mund dhe duhet të jenë më aktiv në procesin e vendimmarrjes. Ata kanë më shumë mjete dhe mundësi për të denoncuar korrupsionin dhe abuzimin, e kam fjalën këtu për organizatat e tyre dhe për mjetet bashkëkohore të komunikimit. Ndërkohë që pushteti vendor (bashkia apo minibashkia) mund të rrisë bashkëpunimin me bordet e shkollave si dhe të ndihmojë nëpërmjet lobimit për mbështetje financiare nga komuniteti (fonde për shkollën që do të menaxhoheshin nga bordet). Ndërsa drejtuesit e shkollave mund të përpiqen më tepër për demokratizimin e jetës së shkollës së tyre, sepse kjo nuk është vetëm në të mirë të komunitetit, por edhe të suksesit të tyre. Jam i bindur se një qeverisje demokratike e shkollës është mënyra më e mirë për një drejtim të qëndrueshëm e të suksesshëm (sigurisht në një sistem ku suksesi vlerësohet). Pra me pak fjalë: Të gjithë mund të bëjnë diçka, secili atë që i takon.

E duhet mbajtur parasysh se “të njëjtat forca që pengojnë shërimin mund të jenë të njëjtat forca që kanë shkaktuar sëmundjen”, do të thoshte Frojdi, një shekull më parë…

Endri Shabani