Ndryshimi i sistemit solli, rrjedhimisht, dhe ndryshimin e botëkuptimit të prindërve e komunitetit mbi arsimimin e edukimin. Kjo bëri që të ndryshojnë raportet e marrëdhënieve midis prindërve, por dhe midis tyre, shkollës e qeverisë. Në këto raporte morale, shoqërore, politike dhe ligjore, duhen parë dhe përgjegjësite e edukimit. Përgjegjësi që e kanë burimin në përcaktimin se kush vendos për qëllimet e edukimit dhe drejtimet e tij, për programet e tekstet mësimore, kush vendos për metodat e zbatimit të tyre apo ku dhe si, në ç’kushte do të realizohen. Në marrdhënien e krijuar duhen përcaktuar dhe rolet; cili është roli i qeverisë, i prindërve dhe komunitetit, i mësuesve dhe shkollës. Pasi dihet se, sfida që has çdo shoqëri është të përcaktojë ekujlibrin e saktë të autoritetit dhe kontrollit të secilit.

Fëmija është në qendër të të gjitha marrëdhënieve të krijuara, i cili do të mësohet, edukohet e përgatitet për një shoqëri demokratike. Pra, mbi këtë fëmijë do të ushtrojë ndikimin e vet prindi dhe familja, shkolla si dhe gjithë aktoret dhe faktorët e tjerë të shoqërisë civile në fushën e edukimit. Raportet tregojnë dukshëm rolin thelbësor të prindit dhe familjes.Prandaj në marrdhëniet e reja të krijuara, prindërit, për të ushtruar realisht rolin e tyre edukues, nuk mund të konsiderohen vetëm këshillues e ndihmues dhe të mënjanohen nga vendimmarrja.

Bordi-përbërja, drejtimi, funksionimi Një organizëm, që krijon mundësinë edhe për vendimmarrje nga prindërit, është Bordi i shkollës i ngritur me ligj dhe që funksionon në bazë të dispozitave normative. Bordi është një organ kolegjal që ka në përbërje të tij përfaqësues nga të gjitha strukturat e shkollës (nxënës, prindër dhe mësues), si dhe përfaqësues të komunitetit, të Drejtorisë Arsimore e të Pushtetit Lokal. Ky organ drejtohet nga një prind. Bordi ka si mision të sigurojë që shërbimi shkollor të kryhet sipas politikave arsimore kombëtare e lokale dhe interesave të komunitetit të shkollës dhe përbën hapin e parë drejt decentralizimit në arsimit. Për nga mënyra e kompozimit, jo vetëm krijon përshtypjen por, dhe ka mundësinë që të njohë në hollësi problemet e shkollës, t’i zgjidhë ose ti adresojë ato për zgjidhje. Kjo përbërje krijon hapësirë bashkëpunimi me disa nga partnerët kryesore në fushën e edukimit, brenda e jashtë shkollës ku Bordi, shumë mirë, mund të luajë rolin e koordinatorit. Ka kompetenca për të zbatuar detyrat e ngarkuara brenda shkollës dhe për të informuar apo paraqitur shqetësimet deri në Pushtetin Lokal dhe DAR/ZA (Drejtoria arsimore rajonale/ Zyra arsimore). Bordi i shkollës nuk paguhet dhe, veprimtaria e tij bazohet në parimin e vullnetarizmit dhe në përgjegjësinë e përbashkët për edukimin e fëmijëve, edhe pse është i detyruar me ligj që të ngrihet.

Gjendja aktuale e funksionimit, mendime Prindërit në përgjithësi, duke qenë të niveleve të ndryshme arsimore, duke qene të ngarkuar dhe me një sërë hallesh ekonomike e sociale, e shikojne me indiferentizëm dhe pa interesin e duhur, përfshirjen në problemet e shkollës. Ndryshimet e bëra, akoma nuk kanë mundur të çrrënjosin plotësisht nga mendja e tyre se fëmijët i edukon shkolla, se punën në shkollë e bën një drejtor i “fortë” i cili mund të bëjë gjithçka, që problemet i zgjidh ai që ka shoqëri “lartë” apo akses politik etj. Ky opinion vazhdon të mbahet gjallë edhe për faktin se ligji, akoma lihet “prapa liste” dhe, nuk zbatohet. Duke thënë të vërtetën, pohojmë se në shumë shkolla, sidomos në zonat rurale, Bordi i shkollës, fuksionon pak ose aspak, dhe në shumë raste të tjera, pothuajse nuk funksionon fare.

Së pari; sepse ekziston koncepti i gabuar për përfshirjen dhe marrjen e përgjegjësive nga prindërit.

Së dyti; sepse përfaqësuesit e Bordit nuk paguhen dhe nuk shohin përfitime të dukeshme, duke mos konceptuar perfitimin afatgjatë, edukimin e fëmijëve.

Së treti; vetë ligjvënësit, nuk kanë parashikuar për Bordin asnje kërkesë llogarie apo llogaridhënie, ku të dalë përgjegjësia e detyrës së ngarkuar. Vetëm përgjegjësia morale, nuk e përligj impenjimin për të zbatuar detyrat.

Së katërti; institucioni i Bordit, nuk është kompletuar me ligjshmërinë e duhur për të marrë vendime ekzekutive, sepse nuk është realizuar ende delegimi i vendimmarrjes kundrejt përmbajtjes dhe menaxhimit financiar. Pa këto atribute bazë, vendimmarrja e nevojshme nuk mund të realizohet. Vetëm arsimi i decentralizuar është një proces që mund të sigurojë llogaridhënie, transparencë, cilësi dhe efikasitet. Cilësia e ulet e shërbimit në arsim vjen edhe si rezultat i mungesës së një shkolle autonome dhe të demokratizuar.

Së pesti; edhe nga vetë drejtuesit është e vështirë të mbështetet marrja e mendimeve, vërejtjeve apo urdhërave nga Bordi , duke e patur kështu më lehtë të urdhërojne e të vetëkomandojnë. Kështu ata, jo vetëm që nuk nxisin, stimulojnë e inkurajojnë bashkëpunimin, por shpesh behen dhe pengesë serioze në zbatimin e detyrave të tij. Pra, ndikimi i drejtorit është imponues për Bordin edhe pse ai nuk është pjesë e këtij organi; kurse Bordi, me statusin që ka, ka mundësi të reagojë vetëm me propozime ose këshilla.

Në këto kushte, mendoj se puna e bordit deri tani, për shkak të ndërgjegjësimit të ulet të prindërve dhe gjithë shoqërisë për rëndësinë e edukimit, për shkak të vështirësive të dukeshme ekonomiko-sociale, për mungesë të disa ligjeve që i shtojnë rolin ekzekutiv e vendimmarres, nuk është efiçente. Por gjithashtu kam mendimin e palëkundur se Bordi, si organ kolegjal, duhet të luajë rol të rëndësishëm në shkollë, prandaj duhet të kthehet në një entitet që funksionon, se vetëm kështu vendim-marrja do të jetë më afër prindërve, të cilët janë përfituesit kryesorë të shërbimit të shkollës. Por a do të mjaftonte ky organizim i prindërve vetëm brenda shkollës? A do mund të zgjidheshin shumë çështje që lidhen me cilësinë, apo me interesa të ndryshme të prindërve, vetëm nga aktorët në nivel shkolle?

Prindërit deri tani, i kanë të kufizuara kompetencat, aty ku janë të organizuar, dhe aty jo aq sa duhet. Në shkallë rrethi apo në atë kombëtare, nuk ka kush ti përfaqësojë institucionalisht dhe të mbrojë interesat e tyre. Nëpërmjet rritjes së rolit të prindërve, mendojmë që të organizohen dhe funksionojnë strukturat prindërore vendim-marrëse të institucionalizuara, në nivel lokal dhe kombëtar, (ndoshta kjo nëpërmjet një Bordi të përbashkët me DAR dhe pushtetin lokal,apo edhe me MASH). Shoqata e Prindërve Tiranë, ka patur përvojë të mirë në bashkëpunimin me Bashkinë Tiranë, nëpërmjet një Bordi të përbashkët, prindër-mësues-nxënës-përfaqësues të bashkisë, pranë Sektorit të Politikave Arsimore, i cili identifikonte problemet në shkolla e komunitet, i zgjidhte ose i adresonte ato për zgjidhje; po kështu, përfaqësues të Shoqatës, benin pjesë edhe në Bordin e DAR, i cili kishte rol konsultativ për zgjidhjen e problemeve. Fakti që këto bashkëpunime janë ndërprerë, tregon se nuk kanë qenë në baza institucionale e ligjore, por vareshin nga deshira e individëve përfaqësues të institucioneve.

Arritja e synimeve të mësipërme, që prindërit të jenë në strukturat vendimmarrëse të çdo niveli, kërkon patjetër, ndërgjegjësim të vazhdueshëm për rolin dhe përgjegjësinë e prindërve në edukim dhe të pjesmarrjes në këto struktura, kërkon ngritjen e kapaciteteve, duke organizuar trajnime sipas specifikave të çdo aktori e niveli, duke ngritur kështu edhe grupet e trajnereve në çdo rreth. Për të rritur efektin sqarues e zbatues të ligjeve tek anëtarët e Bordit, për ti ndihmuar në format dhe mënyrat e bashkëpunimit me partnerët apo për të koordinuar punën me Shoqatën e Prindërve, si hap i parë, mbase do të ishte e nevojshme përgatitja e një udhëzuesi për Bordet.Të gjitha këto masa ndërgjegjësuese e trajnuese, do të bënin që prindërit jo vetem të kuptojnë të drejtat e tyre por, dhe ti kërkojnë ato nëpërmjet pjesmarrjes në vendimmarrje.

Hysni Elezi
Kryetar i Shoqatës së Prindërve Tiranë